PDK mbështet protestat për ish-krerët e UÇK-së pas vendimit të Gjykatës Speciale
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur mbështetje për protestat e thirrura për të premten nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe platformat qytetare, pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në një komunikatë të lëshuar të enjten, PDK-ja theksoi se mbështet protestat që do të zhvillohen në të gjitha komunat e Kosovës, duke vlerësuar se përmes tyre qytetarët po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara.
Partia gjithashtu ka vlerësuar protestat e mbajtura gjatë dhjetë ditëve të fundit në Kosovë, si dhe tubimet e shqiptarëve në diasporë. “Pjesëmarrja e qytetarëve në sheshet e Kosovës, për dhjetë ditë me radhë, përcjell një mesazh të qartë nga protestuesit se vendimi i Gjykatës Speciale nuk është marrë në emër të popullit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
PDK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë edhe në protestën e platformës “Liria ka emër”, e cila është paralajmëruar për 1 tetor në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Sipas PDK-së, reagimi qytetar në Kosovë dhe diasporë duhet të merret seriozisht nga institucionet, ndërsa protestat po zhvillohen në mënyrë paqësore dhe demokratike. “Përgjegjësia institucionale nuk përfundon te qytetarët që protestojnë”, theksohet në reagim.
Partia ka kërkuar nga institucionet dhe subjektet politike që t’i trajtojnë me seriozitet dhe urgjencë hapat institucionalë dhe ligjorë që lidhen me procesin në Hagë dhe fazat e mëtejshme të tij.
PDK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional lidhur me procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në këtë kuadër, PDK-ja e ka cilësuar si prioritet votimin në Kuvend të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

