Gjykata Kushtetuese shqyrton kërkesën e PDK-së për konstituimin e Kuvendit
Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar lëndën e referuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka të bëjë me kushtetutshmërinë e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe zhvillimet institucionale që kanë ndodhur pas këtij procesi.
Në një përgjigje për Ekonomia Online, Gjykata Kushtetuese thekson se lënda po trajtohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së këtij institucioni. “Kjo lëndë është duke u shqyrtuar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, është shprehur Gjykata Kushtetuese.
PDK-ja më 14 shtator kishte dërguar në Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së konstituimit të Kuvendit, duke ngritur çështje lidhur me mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe zhvillimeve të tjera në këtë proces.
Një ditë më vonë, PDK-ja kishte paraqitur në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë të dytë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për formimin e Qeverisë së re, duke argumentuar se procesi i konstituimit të Kuvendit kishte dilema kushtetuese.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

