Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, për emërimet e reja të zëvendësministrave.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ajo ka shkruar se ky nuk është funksionim institucional, por mentalitet abuzues. “Në universin e Albin Kurtit, Kuvendi nuk është shpërndarë dhe Qeveria nuk është në dorëheqje.
Njeriu vazhdon të emërojë zëvendësministra, të hapë konkurse për pozita të larta në shërbimin civil, të bëjë emërime e shkarkime gjithandej, sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Ky nuk është funksionim institucional. Është mentalitet abuzues ndaj shtetit”, tha Çitaku, mes tjerash.
Në fund, ish-deputetja e PDK-së tha: “Kur pushteti sillet sikur institucionet janë pronë private, demokracia dëmtohet dhe qytetarët nënçmohen”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po vazhdon emërimin e zëvendësministrave, ndonëse qeveria është në detyrë dhe është caktuar data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 7 qershor.
