Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Zhdukur me Dhunë.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar se mbi 1 mijë e 500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, ende mbesin pa varr dhe pa përgjigje për fatin e tyre. “Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Zhdukur me Dhunë.
Mbi 1500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, ende mbesin pa varr, pa drejtësi dhe pa përgjigje.
Ata janë plaga më e thellë e Kosovës dhe dëshmia më e dhimbshme e krimeve të kryera ndaj popullit tonë nga ana e Serbisë.
Synimi i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja, dëbimi dhe shkatërrimi i identitetit tonë kombëtar, i familjeve tona dhe i së ardhmes së Kosovës”, shkroi Osmani.
Ajo ka akuzuar Serbinë se po i mban të mbyllura arkivat dhe informacionet për personat e zhdukur. “Por krimi nuk përfundon me heshtjen e armëve.
Ai vazhdon edhe sot kur mohohet e vërteta, kur fshihen gjurmët dhe kur familjeve u mohohet e drejta elementare për të ditur fatin e më të dashurve të tyre.
Duke mbajtur të mbyllura arkivat dhe informacionin për personat e zhdukur, në kundërshtim me zotimet e dhëna në Bruksel, Serbia jo vetëm që po e mohon të kaluarën, por po shkel edhe marrëveshjet që ka pranuar.
Propaganda nuk mund ta fshijë të vërtetën sepse Serbia ende fle mbi varrezat masive të civilëve të pafajshëm dhe vazhdon ta përsërisë krimin.
Për mijëra familje në Kosovë, drejtësia nuk është histori. Është dhimbje. Është ankth. Është pritje”, tha Osmani.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





