Edhe pse Kosova nuk merr pjesë zyrtarisht në Eurovision, emrat shqiptarë po përfaqësohen në një tjetër formë në skenën e madhe të finales në Vjenë.
Prezantuesja e Eurovision 2026, Victoria Swarovski, është shfaqur gjatë mbrëmjes me disa veshje të realizuara nga dy dizajnerë nga Kosova, Valdrin Sahiti dhe Drenusha Xharra.
Një nga paraqitjet më të komentuara ishte fustani smerald në ngjyrë të gjelbër, i dizajnuar nga Valdrin Sahiti.
Veshja me shkëlqim dhe prerje të ngushtë u veçua në skenë për stilin glamuroz dhe pamjen elegante nën dritat e Eurovisionit.
Më vonë gjatë mbrëmjes, prezantuesja u shfaq edhe me një fustan ngjyrë vjollcë, punim i dizajneres Drenusha Xharra, me të cilin u paraqit pak para përfundimit të performancës së Austrisë.
Po ashtu, deri në fund të finales, Victoria Swarovski pritet të rikthehet edhe me një tjetër krijim të Valdrin Sahitit, këtë herë me një fustan ngjyrë argjendi, i përshkruar si një kombinim modern i stilit klasik ‘Old Hollywood’.
