14 raste janë konfirmuar me sëmundjen e fruthit në Kosovë, për shkak se kanë qenë të pavaksinuar me vaksinën kundër kësaj sëmundjeje, kurse në dy javët e para të këtij muaji janë vaksinuar mbi 500 fëmijë.
Shefja e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Xhevrije Canolli në një intervistë për Ekonomia Online tregoi se vaksinimi mbetet kyç në parandalimin e fruthit.
Ajo u bëri thirrje prindërve që t’i kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i dërgojnë në QMF për vaksinim.
Canolli gjithashtu tha se duhet marrë të dyja dozat e vaksinimit në mënyrë që të ketë parandalim të plotë të fruthit dhe se janë duke u vaksinuar nxënësit e klasës së parë dhe të gjashtë.
Në total, janë vaksinuar mbi 500 fëmijë kundër fruthit në dy javët e para të muajit maj, duke shënuar një rritje të interesimit të prindërve për vaksinim.






