Tyra Banks ngrit padi ndaj Netflix-it për dokumentarin e kontrovershëm të America’s Next Top Model

Modelja dhe prezantuesja e njohur amerikane, Tyra Banks, ka ngritur një padi ndaj Netflix-it për dokumentarin “Reality Check: Inside America’s Next Top Model”, i cili trajton polemikat dhe kritikat që kanë shoqëruar ndër vite reality show-n e famshëm të modës.

Banks pretendon se deklaratat e saj janë montuar në mënyrë të tillë që të krijojnë një “narrativë të rreme dhe shpifëse” për rolin e saj në ngjarjet kontroverse që kanë ndodhur gjatë realizimit të emisionit.

Në padi, ajo argumenton se dokumentari është prezantuar si një vepër faktike, ndaj publiku pret të shohë ngjarje dhe informacione të sakta, e jo histori të ndërtuara për efekt televiziv.


- Advertisement -

Sipas saj, pjesë të intervistës ku ajo pranonte gabimet e emisionit dhe merrte përgjegjësi për to janë hequr nga versioni final. “Shumë fragmente janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe janë ribashkuar për të mbështetur një narrativë të rreme dhe shpifëse”, thuhet në padi.

Dokumentari rikthen në vëmendje disa nga debatet më të mëdha që kanë shoqëruar “America’s Next Top Model”, përfshirë akuzat për bullizëm, turpërim për shkak të pamjes fizike dhe çështje që lidhen me përfaqësimin racor.

Një nga akuzat më serioze vjen nga ish-konkurrentja Shandi Sullivan, e cila pretendon se gjatë xhirimeve në Itali në vitin 2003 ishte në gjendje të dehur dhe se producentët duhej të kishin ndërhyrë.

Tyra Banks thotë se gjatë intervistës ka sqaruar se nuk ishte e përfshirë në vendimet e përditshme të produksionit, por sipas saj montazhi final ka krijuar përshtypjen se ajo mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ngjarjet e përmendura. “Narrativa për zonjën Banks është një trillim i plotë që Netflix ia ka transmetuar miliona shikuesve në mbarë botën”, thuhet më tej në dokumentet gjyqësore.

Dokumentari trajton edhe raste të tjera të diskutueshme nga emisioni.

Fituesja e dikurshme Dani Evans ka kujtuar presionin që kishte marrë për të mbyllur hapësirën mes dhëmbëve të përparmë, ndërsa Keenyah Hill ka folur për mënyrën se si pesha e saj trupore u shndërrua në pjesë të narrativës televizive.

Vetë Banks ka pranuar se sot i sheh ndryshe disa nga vendimet e së kaluarës.

Në vitin 2025, gjatë eventit ESSENCE Black Women in Hollywood Awards, ajo deklaroi: “A i kemi bërë të gjitha siç duhet?

Aspak.

Kam thënë edhe gjëra të gabuara”.

Në dokumentar, ajo reflektoi edhe mbi momentin e famshëm kur i bërtiti konkurrentes Tiffany Richardson, duke pranuar se kishte shkuar shumë larg dhe kishte humbur kontrollin.

Po ashtu, ajo komentoi edhe fotosesionin kontrovers ku konkurrentet transformoheshin përmes grimit në persona të racave të tjera, duke thënë se sot e kupton plotësisht pse ai koncept konsiderohet problematik.

Megjithatë, pavarësisht kritikave, Banks kundërshton idenë që e gjithë trashëgimia e “America’s Next Top Model” të reduktohet vetëm te momentet më të debatueshme. “Refuzoj që trashëgimia ime të përkufizohet nga disa momente të shpërndara në internet, kur kemi pasur 24 sezone që kanë ndryshuar jetën e shumë njerëzve”, është shprehur ajo.

Burimi origjinal i informacionit: telegrafi.com


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *