Një burrë dhe dy fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në një banesë në Malishevë.
Sipas informacioneve të zyrtarëve, viktima është një burrë rreth 35 vjeç, ndërsa fëmijët janë të moshës 9 dhe 12 vjeç.
Zjarri ka shpërthyer rreth orës 12:55 në lagjen “Mirdita”.
Autoritetet kanë filluar hetimet për të zbuluar shkaqet e tragjedisë.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, deklaroi: ‘Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.
Në këtë banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete.’ Hetimet janë në progres dhe prokurori i shtetit është njoftuar për ngjarjen për të sqaruar rrethanat e tragjedisë.
Zjarri është lokalizuar dhe nuk ka pasur pasoja të tjera përveç humbjes së jetës së tre personave.
