Avokati Valdet Hoxha vlerëson se takimi i parë ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ka përfunduar në përputhje me pritjet pasi nuk prodhoi asnjë rezultat teksa shton se mbetet optimist se kriza politike do të zgjidhet pa pasur nevojë për zgjedhje të reja.
Hoxha u shpreh se duke njohur qëndrimin e Kurtit për të mos bashkëqeverisur me Partinë Demokratike të Kosovës, pret që zgjidhja të kërkohet me Lidhjen Demokratike të Kosovës ose me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. ‘Besoj që takimi i parë ka përfundu brenda pritshmërive duke njohur mos vullnetin e zotëri Kurtit për të bashkë qeverisur me PDK-në prandaj po besoj që do të ketë zgjidhje qoftë me LDK-në qoftë edhe me Aleancën pa pjesëmarrjen e saj në qeverisje por me praninë e saj për krijimin e kuorumit pasi kushtet që i ka vendosur Aleanca janë të pranueshme dhe janë të domosdoshme si çështja e gazit amerikan dhe shoh se do të ketë një zgjidhje të krizës jam më shumë optimist për zgjidhje sesa në zgjedhje të sërishme’, u shpreh Hoxha.
Hoxha foli edhe për mundësinë e një marrëveshjeje ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, duke e lidhur atë me diskutimet për postin e Presidentit. ‘Në qoftë se zotëri Abdixhiku është i interesuar për postin e Presidentit këta në LDK që nuk janë të interesuar që ta kenë për kryetar a munden ta votojnë për president dhe do të hapet gara në LDK për kryetar dhe do të zgjidhet ai që merr votën – ka zgjidhje dhe nuk besoj që Abdixhiku dhe LDK-ja janë partner të papranueshëm për Vetëvendosjen’, u shpreh Hoxha./dukagjini Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





