Për vitin e katërt me radhë, nxënësit furnizohen me tekste shkollore përmes subvencionimit.
Por shpeshherë, mjetet të cilat i ndan Qeveria nuk shkojnë aty ku duhet.
Kjo dukuri ishte shprehur edhe vitin që lamë pas në një nga shkollat në kryeqytet. “Zakonisht këto raste janë prezent te fëmijët e komuniteteve pakicë, të cilët me keqardhje e themi se për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, mjetet i kanë destinuar për diçka tjetër dhe janë ardh në shkollë pa libra dhe neve është dashtë prapë me ua bo një zgjidhje”, thotë Visar Osmani, drejtor i shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë.
E madje në vitin 2025, një nga problematikat e evidentuara edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ishte përfitimi i të hollave nga prindër të cilët nuk i kishin përmbushur kriteret.
Kësisoj në bazë të raportit, mbi 60 mijë euro ishin ndarë për këta prindër të cilët kishin aplikuar për t’u blerë librat fëmijëve të tyre, anipse s’plotësonin kushtet.
Por këtë vit, nga Ministria e Arsimit thonë se kanë marrë të gjitha masat që të mos ketë raste të tilla. “…ne kemi marrë masa dhe vetë procesi i subvencionimit, sistemi ka shkuar duke u përsosur vit pas vitit, ky është viti i katër i subvencionimit të teksteve shkollore dhe materialeve shkollore dhe është e pamundur që një nxënës që nuk vijon mësimin në sistemin arsimor të marrë të hollat për blerjen e librave, sepse vet verifikimi nga ana e koordinatorëve e ka shmangur më herët nëse ka pasur ndonjë rast që i ka marrë të hollat, nëse nuk ka qenë në sistemin arsimor”, bën të ditur drejtoresha e Departamentit për Arsim parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.
Mes tjerash, subvencionimi i teksteve shkollore vitin e kaluar, kishte krijuar edhe vonesa në furnizim. “Në vitin e kaluar ne dimë që ka pas vonesa gjatë muajit shtator të disa titujve, në shkollën tonë ka pas vonesa të tre titujve që kanë munguar brenda muajit shtator, por ne i kemi zëvendësuar me tituj të vjetër derisa janë ardhur në treg tituj të ri.
Këtë vit urojmë që ajo mos të përsëritet pasi në fund dëmi po u faturohet fëmijëve”, thotë Osmani.
Kjo dukuri ishte evidentuar edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë. “Kam frikë që do të ketë vonesa edhe këtë vit por mbase nuk do të jenë vonesa të gjata sikurse në vitet e kaluara që kalonte shtatori pa u furnizuar të gjithë nxënësit me libra.
Kanë qenë të shqetësuar me vonesën që është bërë te një pjesë e nxënësve për t’u furnizuar me tekste shkollore, frika tjetër është që jo të gjithë prindërit mund të kenë xhirollogari dhe nëse nuk kanë të gjithë prindërit atëherë pa fajin e tyre do të mbesin pa rimbursim”, deklaron kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Megjithatë, nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur se janë duke punuar që nxënësit, të jenë të pajisur me libra që më 1 shtator.
E që të mos ketë keqpërdorime, sipas MASHTI-t, nxënësit janë të obliguar që t’i kthejnë tekstet shkollore të padëmtuara ose t’i kompensojnë ato në rast se nuk janë ruajtur.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





