Analisti Imer Mushkolaj, në TV Dukagjini, ka deklaruar se aktualisht nuk ka sinjale për një vullnet të LDK-së për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, situata politike mbetet e paqartë dhe pritet të shihet zhvillimi brenda LDK-së pas procesit të brendshëm të votëbesimit të kryetarit. ‘Sa i përket koalicionit mes LVV dhe LDK-së, sinjalet janë se nuk kanë atë vullnet.
Duhet me prit çka kanë me dhënë LDK.
Nëse thirret Kuvendi i Përgjithshëm për me votëbesu kryetarin aktual, pas rezultatit të votëbesimit do të jetë më e qartë situata për reflektim në krijimin e institucioneve’, ka thënë Mushkolaj.
Ai shtoi se, bazuar në deklarimet e zyrtarëve të LDK-së, aktualisht nuk ekziston gatishmëri për bashkëpunim me VV-në. ‘Kemi dëgjuar deputetë të LDK-së që kanë thënë se i kemi votat për kryetar Kuvendi apo edhe për Qeveri, por presim çështjen e presidentit.
Po përsëritet pak a shumë situata e mëparshme, ku LVV e formon fillimisht Kuvendin dhe Qeverinë, e më pas kërkon bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit’, u shpreh ai.
Mushkolaj theksoi se një marrëveshje e mundshme koalicioni që përfshin edhe çështjen e presidentit do ta lehtësonte procesin, por sipas tij aktualisht një vullnet i tillë nuk po shihet.
Ai shtoi se mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen proceset brenda LDK-së dhe cili do të jetë qëndrimi i kryetarit Lumir Abdixhiku pas votëbesimit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





