Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat e fundit datë 7 shtator, mbi situatën e zjarreve.
Gjatë 24 orëve të fundit njoftohet se janë raportuar 44 vatra zjarri, nga të cilat 14 mbeten aktive, nëntë janë nën mbikëqyrje dhe 21 janë shuar.
Sipas njoftimit, në operacione janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 329 efektivë, mjete të shumta, gjashtë operacione me helikopterë, një avion Air Tractor dhe një dron.
Situatat kryesore aktive janë: Shkodër, Tiranë, Dibër, Lezhë, dhe Berat.
Në qarqet e tjera, disa vatra janë shuar ose mbahen nën mbikëqyrje.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





