Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka reaguar pas incidentit të mbrëmshëm në minierën e Stantërgut, ku 63 minatorë mbetën të ngujuar për shkak të një ndërprerjeje të energjisë elektrike.
Fatmirësisht, ata dolën shëndoshë e mirë, por sindikata thekson se ky rast është një alarm për gjendjen e sigurisë në Trepçë dhe nuk guxon të kalojë pa u vënë re. “Nuk mund të presim tragjedinë për të reaguar”, shprehet sindikata.
Ankesat e sindikatës përfshijnë kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët e emergjencës, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve. “Minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën”, thonë ata.
Sindikata ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse një hetim të plotë dhe transparent të rastit, përcaktimin e përgjegjësive, si dhe një vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë. “Kërkojmë gjithashtu investime urgjente nga shteti në sigurinë e minatorëve.
Nuk mjaftojnë deklaratat dhe reagimet vetëm pas incidenteve”, shtojnë ata.
Sindikata thekson se mediat po e pasqyrojnë me përgjegjësi zërin e minatorëve, por nuk është vetëm media ajo që duhet të reagojë. “Institucionet duhet të veprojnë.
Trepça mund të jetë pasuri strategjike e Kosovës, por mbi çdo pasuri qëndron jeta dhe shëndeti i minatorit.
Mos të presim që një incident i radhës të kthehet në tragjedi.
Tani është momenti për veprim!”, përfundon reagimi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





