Shqipëria renditet ndër 10 vendet e para të Evropës për numrin e lartë të vrasjeve të qëllimshme, në raport me popullsinë, sipas të dhënave që janë bërë publike nga Eurostat.
Në vitin 2024, në Shqipëri u regjistruan 41 vrasje me dashje (shifër e publikuar nga Eurostat), që në raport me popullsinë e atij viti janë 1.71 vrasje për 100 mijë banorë (e përllogaritur nga Monitor), transmeton Klankosova.tv.
Në këtë nivel, Shqipëria renditet e teta pas Lituanisë (2.63), Letonisë (2.4), Turqisë (2.27), Malit të Zi (1.92), Estonisë (1.82), Islandës (1.82), Finlandës (1.78).
Në krahasim me një vit më parë, kur në shtetin shqiptar kishte 1.27 vrasje për 100 mijë banorë ka një rritje të ndjeshme të këtij treguesi për Shqipërinë për dy arsye.
Së pari, numri i vrasjeve u rrit nga 35 në 41, sipas Eurostat.
Së dyti, llogaritjet për vitin 2024 janë bërë me popullsinë sipas Censit të ri, prej 2.39 milionë banorë, nga 2.76 milionë në 2023-n.
Numri më i lartë i vrasjeve në Shqipëri është shënuar në vitin 2016, me 71 viktima, po sipas të dhënave historike të Eurostat, ose 2.46 vrasje për 100 mijë banorë. /Monitor.al
