Një burrë dhe një grua kanë humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur në një shpërthim të dyshimtë në një shtëpi në Bristol, ka bërë të ditur policia.
Policia e Avon dhe Somerset u thirr në një shtëpi në Sterncourt Road, Frenchay, për një incident të lidhur me familje pak minuta para se të ndodhte shpërthimi rreth orës 06:30 sipas kohës lokale.
Tre persona të tjerë – një burrë, një grua dhe një fëmijë – janë dërguar në spital me lëndime të lehta.
Pas ngjarjes është shpallur incident i madh, ndërsa zona është rrethuar dhe banorët e afërt janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Policia ka deklaruar se shpërthimi është “i dyshimtë”, por nuk po trajtohet si incident terrorist.
Në një konferencë për media, Supt Matt Ebbs tha se hetimet janë shtrirë edhe në zonën Speedwell të qytetit, në një pronë të lidhur me burrin që humbi jetën.
Ai shtoi se policia nuk është në kërkim të personave të tjerë të përfshirë, por se rasti mbetet një hetim “kompleks dhe i ndjeshëm”.
Autoritetet ende nuk kanë konfirmuar shkakun e shpërthimit.
