Victoria Beckham duket se nuk e ka pritur mirë foton provokuese të djalit të saj, Cruz Beckham, e realizuar për promovimin e këngës së tij të re ‘Waste Your Pain’.
Në imazhin e publikuar në rrjetet sociale, muzikanti 21-vjeçar shfaqet i zhveshur në një skelë në bregdetin e Miami, duke mbuluar modestinë me diskun e këngës, shkruan DailyMail.
Reagimi i nënës së tij nuk vonoi, pasi ajo komentoi publikisht me një mesazh të shkurtër dhe plot habi: ‘Vërtet Cruz!!!’, shoqëruar me një emoji të tronditur.
Momenti tërhoqi menjëherë vëmendjen e ndjekësve dhe u komentua gjerësisht në rrjet.
Publikimi i këngës vjen pasi Cruz ka përfunduar turneun e tij të parë në Mbretërinë e Bashkuar me grupin e tij muzikor The Breakers, ku ka prezantuar materiale të reja muzikore.
Sipas tij, projekti i fundit trajton tema si dashuria për veten, pranimi dhe një fillim i ri.
Në një sesion pyetje-përgjigje me ndjekësit, Cruz zbuloi gjithashtu këshillat kryesore që ka marrë nga prindërit e tij: të jetë i sjellshëm, të punojë fort në zanatin e tij dhe të jetë i lehtë për bashkëpunim.
