Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas kërkesave për dorëheqje që i kanë bërë dega e LDK-së në Pejë e Lipjan.
Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social Facebook i ka quajtur kërkesa të koordinuara nga kryetarët e degëve, Gazmen Muhaxheri – Pejë dhe Imri Ahmeti – Lipjan, duke thënë se një gjë të tillë do duhej të ja kërkonin ballë për ballë. “I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time.
Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë.
Fundja kemi bashkëpunuar gjatë.
Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm.
Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se dorëheqjen e ti ka trajtuar në Kuvendin e 31 janarit, ku Abdixhiku nuk ishte shkarkuar. “Edhe përballë këtyre dy kryetarëve.
Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë.
Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë.
I pranoj menjëherë.
E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë.
Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash.
Që nga atëherë, me te gjitha pengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm.
Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do te lejojme që vullneti i shumicës derrmuese të LDK-së të tjetërësohet ne projekte që synojnë ndarjen dhe më pas shuarjen e LDK-së.
Fundja, LDK nuk është konfederatë e interesave lokale.
As platforme e karrierave individuale.
LDK mbetet parti nacionale.
E vetes.
E askujt tjetër; sidmos e asnjë partie tjetër”, ka shkruar Abdixhiku.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





