Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur qëndrimin e tij pas miratimit të Deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në lidhje me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Rama e ka vlerësuar rëndësinë e unitetit institucional në këtë miratim, duke theksuar se çështjet që lidhen me luftën për liri dhe historinë e Kosovës duhet të tejkalojnë dallimet politike. “Sot, përballë një çështjeje që prek historinë tonë, luftën për liri dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë, Kosova foli me një zë”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se kur flitet për luftën çlirimtare, sakrificën e popullit dhe të vërtetën historike të Kosovës, përgjegjësia e përbashkët është më e rëndësishme se dallimet politike. “Mbi partitë është shteti.
Mbi interesat ditore është e vërteta jonë historike”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, drejtësia dhe historia kërkojnë një trajtim të drejtë dhe të vërtetë, dhe institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të bashkuara në çështjet që lidhen me themelet e lirisë së vendit. “Sot Kuvendi e dha këtë mesazh.
Dhe është një mesazh që duhet të dëgjohet fuqishëm edhe përtej Kosovës”, ka përfunduar Rama.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




