Asamblistja e LDK-së në Kuvendin Komunal të Klinës, Jehona Gashi, ka reaguar pas demantit të publikuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë, duke thënë se ai nuk adreson çështjet që ajo ngriti në mbledhjen e Kuvendit Komunal.
Në një reagim publik, Gashi thekson se shqetësimi i saj nuk ka qenë ekzistenca e ekipit të gatishmërisë gjatë muajve të verës, por mënyra e reagimit të menaxhmentit në situata urgjente, veçanërisht gjatë ndërrimeve të natës.
Sipas saj, në disa raste emergjente stafi mjekësor nuk ka arritur të kontaktojë personat përgjegjës, duke përmendur si shembuj dy aksidente me pasoja fatale në Dollc dhe një rast në ‘Keka Med’. ‘Unë kam ngritur një problem konkret që ka ndodhur në disa raste para muajve të verës, kur stafi mjekësor nuk ka arritur të kontaktojë menaxhmentin në situata urgjente, sidomos gjatë ndërrimeve të natës’, ka shkruar Gashi.
Ajo pretendon se në një nga rastet me fatalitet në Dollc, personat që iu përgjigjën thirrjes nuk ishin pjesë e ekipit të gatishmërisë, por punonjës të tjerë të institucionit. ‘Madje, për shkak të mungesës së stafit të nevojshëm në institucion dhe mospërgjigjes nga personi përgjegjës, doktori është detyruar të shkojë me veturën e Policisë për ta konfirmuar rastin’, thuhet në reagimin e saj.
Lidhur me rastin në ‘Keka Med’, Gashi pretendon se, sipas informacioneve që posedon, drejtori ‘ua ka ndal telefonin’, ndonëse pacienti kishte shpëtuar.
Asamblistja e LDK-së thekson se është e gatshme të paraqesë dëshmi dhe dëshmitarë për pretendimet e saj. ‘Unë nuk jam aspak e keqinformuar dhe, nëse është e nevojshme, jam e gatshme të paraqes dëshmi dhe dëshmitarë për këto raste në zyrat tuaja’, është shprehur ajo.
Në fund, Gashi ka theksuar se qëllimi i saj nuk është polemika me institucionin, por trajtimi serioz i çështjeve që lidhen me reagimin institucional në raste emergjente.
Ky reagim vjen pasi QKMF-ja në Klinë publikoi një demant ndaj deklaratave të bëra nga Gashi në Kuvendin Komunal.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





