Numri i rasteve të reja të kancerit të gjirit në Kosovë deri në tetor është përafërsisht i njëjtë me vitet e kaluara, ndërsa deri në fund të vitit pritet të arrijë në 460 deri në 470 raste.
Këtë e bëri të ditur drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, i cili theksoi rritjen e rasteve te grupmosha 40 deri në 50 vjeç.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, po ashtu nënvizoi se vitin e kaluar mbi gjysma e pacientëve janë diagnostikuar në fazat e para të sëmundjes, kur mundësitë për trajtim janë më të mëdha.
Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, Klinika e Onkologjisë ka shpalosur bilancin e rasteve të reja.
Sipas drejtorit Ilir Kurtishi, dinamika e përhapjes së sëmundjes mbetet pothuajse e njëjtë me vitet e kaluara, duke treguar një stabilitet në krahasim me vitet 2024 dhe 2025.
Një lajm inkurajues për shëndetësinë në Kosovë është fakti se vendi ynë vazhdon të ketë incidencën më të ulët të kancerit të gjirit në nivel rajonal. “Në muajin tetor, kemi regjistruar përafërsisht numër të njëjtë si në vitin 2024-2025, që tregon se ka njëfarë ndalje të trendit të këtyre sëmundjeve.
Ndoshta deri në fund të vitit mund të kemi një përqindje 2-3% më shumë se vitet paraprake,” tha Ilir Kurtishi, drejtor i Onkologjisë.
Megjithatë, një shqetësim për institucionet shëndetësore mbetet rritja e rasteve të reja në grupmoshat më të reja, veçanërisht te personat nga 40 deri në 50 vjeç.
Ndërkohë, përmirësimi i qasjes në trajtim dhe sigurimi i barnave mbeten disa nga sfidat kryesore të Klinikës së Onkologjisë. “Normalisht, ka periudha kur përkohësisht mund të kemi ndalesë përkohshme të këtyre barnave, por shumica nga to janë të pranishme në klinikë,” theksoi Ilir Kurtishi.
Rëndësia e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm ishte në fokus edhe të konferencës ndërkombëtare ‘Karcinoma e Gjirit dhe Sfidat e Tij’, të organizuar nga Shoqata e Teknikëve të Radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë. “Duhet të ndiheni krenarë me atë që tani mbi gjysma, vitin e kaluar 53.4% e pacientëve po diagnostikohen në fazën e parë dhe të dytë, kur shanset për trajtim janë jashtëzakonisht të mëdha,” tha Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë. “Tetori Rozë na kujton se ndërgjegjësimi, kontrollet e rregullta dhe diagnostikimi i hershëm janë hapa të rëndësishëm në luftën kundër kancerit të gjirit, prandaj është përgjegjësi e të gjithë neve që të kontribuojmë në informimin, parandalimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore,” tha Valmira Rexhepi-Sllamniku, kryetare e SHTOK-ut.
Në nivel kombëtar, mbi gjysma e rasteve të kancerit të gjirit po arrijnë të zbulohen në fazat e hershme, të parën dhe të dytën, gjë që rrit ndjeshëm mundësinë e mbijetesës dhe shërimit të plotë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





