Një dokument i ri i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane.
Në dokument thuhet se stabiliteti i rajonit dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane atje e bëjnë ShBA-në ‘më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë’.
Për Kosovën, dokumenti thekson se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta inkurajojnë atë dhe Serbinë për të bërë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve më 2023 në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Dokumenti gjithashtu thekson mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë.
Prioritetet kryesore përfshijnë ruajtjen e stabilitetit rajonal, kundërshtimin e ndikimit keqdashës të Rusisë dhe Kinës, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, investimet në energji dhe infrastrukturë, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.






