Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit dhe ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar luftëtarin e lirisë, Hajdar Ahmeti, në 23-vjetorin e shkuarjes së tij në përjetësi.
Haradinaj ka thënë se Ahmeti ishte pjesë e një familjeje atdhetare dhe se iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me babanë e tij, Hasanin.
Sipas Haradinajt, kontributin për atdheun Hajdar Ahmeti e vazhdoi edhe në uniformën e Policisë së Kosovës, deri në momentin kur u nda nga jeta. ‘Sot, me nderim dhe respekt, kujtuam veprën jetësore në shërbim të atdheut të luftëtarit të lirisë, Hajdar Ahmeti, në 23-vjetorin e shkuarjes së tij në përjetësi’, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka bërë të ditur se bashkë me bashkëluftëtarë dhe banorë mori pjesë edhe në zbulimin e pllakës së Shtabit Lokal të UÇK-së në fshatin Berjah.
Haradinaj ka vlerësuar kontributin e banorëve dhe luftëtarëve të kësaj treve, duke thënë se ajo i doli zot atdheut dhe dha dëshmorë e luftëtarë të shquar. ‘Lavdi e përjetshme veprës dhe kujtimit të Hajdar Ahmetit dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës’, ka përfunduar Haradinaj.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



