QKUK formon komision për hetim pas shqetësimeve për trajtimin e fëmijëve në Klinikën e Pediatrisë

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se ka formuar një komision ad-hoc për të zhvilluar hetim administrativ lidhur me rastin e raportuar në Klinikën e Pediatrisë, pas shqetësimeve të ngritura publikisht nga një familje për trajtimin e fëmijës së tyre.

Drejtori i QKUK-së ka marrë vendim për formimin e një komisioni ad-hoc, i cili po zhvillon një hetim të plotë administrativ për të verifikuar të gjitha rrethanat e rastit.

Hetimi do të përfshijë shqyrtimin e pretendimeve lidhur me trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe çdo lëshim eventual, nga ato menaxheriale deri te ato teknike.


- Advertisement -

QKUK bën të ditur se gjatë verifikimeve fillestare janë konstatuar disa parregullsi, përfshirë edhe ato të pasqyruara në fotografitë e publikuara.

Janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin hierarkik menaxherial, ndërsa është suspenduar përkohësisht një punëtor i shërbimeve teknike.

Për të mundësuar zhvillimin e paanshëm të hetimit administrativ lidhur me pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, janë ndërmarrë masa të përkohshme administrative ndaj katër (4) infermierëve.

QKUK ka bërë të ditur se, pas përfundimit të hetimit administrativ, do ta njoftojë publikun për gjetjet e komisionit dhe masat që do të ndërmerren, me synim ruajtjen dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike shëndetësore.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *