Princi William ka zbuluar se ende vazhdon ta shijojë pasionin e tij për motorët, por e bën këtë ‘fshehurazi’ dhe ‘i maskuar’ për të mos tërhequr vëmendje.
Ky pohim nuk pritet të pëlqehet shumë nga bashkëshortja e tij, Kate, e cila më parë ka thënë se ky hobi e mbush me frikë.
Gjatë një vizite në organizatën Norfolk Blood Bikes, pranë rezidencës Anmer Hall, Princi i Uellsit, 43 vjeç, foli hapur për dashurinë e tij ndaj motorëve.
Duke parë flotën e mjeteve të organizatës, ai tha: ‘Ende ngas motor herë pas here, por fshehurazi’, ndërsa më pas shtoi me një buzëqeshje: ‘I maskuar’.
Gjatë vizitës, William pa nga afër 25 motoçikleta dhe automjete që përdoren për transportimin e gjakut, plazmës, qumështit të gjirit dhe materialeve mjekësore.
Ai dhe Kate kanë financuar personalisht blerjen e një Ford Kuga për organizatën.
Automjeti, i quajtur ‘Prince William’, iu bashkua një Ford Focus ekzistues që mban emrin ‘Queen Elizabeth II’.
Duke iu drejtuar vullnetarëve, princi u shpreh: ‘Ju jeni një pjesë kyçe e komunitetit.
Shumë pak njerëz e kuptojnë sa i rëndësishëm është ky rrjet.
Ju krijoni një lidhje thelbësore në të gjithë sistemin.
Jeni të jashtëzakonshëm.’ William e mori patentën për motor në vitin 2002, në moshën 19-vjeçare, ndërsa patentën për makinë e kishte marrë një ditë pas ditëlindjes së 17-të.
Në rininë e tij ai ngiste shpesh motorë, por më vonë tha se e kishte ‘zbutur disi’ këtë pasion pasi u bë baba i Princit George, Princeshës Charlotte dhe Princit Louis.
Ai ka zotëruar disa modele motorësh, përfshirë një Ducati 1198S, që mund të arrijë shpejtësi afër 290 km/h.
Pasioni për dy rrota u nda edhe me vëllain e tij më të vogël, Princin Harry, me të cilin në vitin 2008 përshkoi rreth 1,600 kilometra me motor në Afrikën e Jugut për qëllime bamirësie.
Gjatë një vizite në Dundee në vitin 2015, Kate foli hapur për shqetësimin që i shkakton hobi i bashkëshortit të saj. ‘Ai ende ngas motor.
Gjithmonë më kap ankthi kur hipën në motor.
Jam e tmerruar.
Shpresoj që të arrij ta mbaj George-in larg kësaj’.
Kohët e fundit, William ka përdorur më shpesh një skuter elektrik për të lëvizur brenda pronës së Kështjellës Windsor.
Madje u pa duke e përdorur edhe gjatë një episodi të emisionit The Reluctant Traveler me aktorin Eugene Levy, ku tha: ‘Është vërtet argëtues!’ Burimi origjinal i informacionit: telegrafi.com






