Policia e Kosovës: Konfiskimi i patentë-shoferëve – Ligjor apo i paligjshëm?

Avokati Petrit Lladrovci ka deklaruar se Policia e Kosovës ka bazë ligjore për konfiskimin e patentë-shoferëve në rastet e shkeljeve të caktuara në komunikacion, por ka vlerësuar se praktika e marrjes së patentës në vendin e ngjarjes duhet të ndryshohet dhe të zbatohet vetëm pasi vendimi të marrë formë të prerë.

Lladrovci tha se Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor i jep Policisë kompetencë për vendosjen e masës së ndalimit të drejtimit të automjetit në raste të caktuara. “Së pari, Policia, në bazë të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, ka të drejtë të konfiskojë apo të vendosë masë ndalimi lidhur me patentë-shoferët.

Janë disa raste, mund t’i cekim, si hyrja në semafor të kuq, tejkalimi në vijë të plotë, tejkalimi i kolonave, ngasja në gara apo organizimi i garave në qytet dhe jashtë qytetit, por dallon masa sa muaj do të merret nga ana e Policisë së Kosovës.


- Advertisement -

Gjithashtu është edhe hera e dytë kur zihesh duke folur në telefon gjatë drejtimit të automjetit.

Në këto raste dhe në raste të tjera, si tejkalimi i shpejtësisë mbi kufijtë e përcaktuar, konfiskohen patentë-shoferët, apo vendoset masë ndalimi për drejtimin e mjetit motorik”, tha ai.

Lladrovci theksoi se pretendimet se Policia po vepron jashtë ligjit nuk qëndrojnë, pasi dispozitat aktuale ia lejojnë këtë kompetencë. “Unë mendoj që ai që thotë se Policia e shkel ligjin me marrjen apo me evidentimin, apo me ndalimin e drejtimit të mjetit motorik, janë njerëz laikë që nuk e njohin ligjin, për shkak se Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor, që nga viti 2024, e ka rregulluar këtë pjesë.

Në bazë të nenit 244 ia lejon policit të vendosë masë ndalimi lidhur me këto patentë-shoferë.

Andaj kjo është ligjore.

Policia është ligjzbatuese dhe e zbaton ligjin.

A është ligji në harmoni me Kushtetutën, është çështje që duhet ta vendosë Gjykata Kushtetuese.

Përderisa ligji është në fuqi, Policia e ka për detyrim ta zbatojë atë”, tha ai.

Sipas tij, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë nëse dispozitat aktuale janë në përputhje me Kushtetutën. “Po, secili mund të ngrejë kërkesa apo ankesa lidhur me ligjet dhe udhëzimet administrative në Gjykatën Kushtetuese, duke ndjekur hierarkinë e atakimit.

Por, në momentin kur ligjet bien ndesh me Kushtetutën, ato nuk prodhojnë më efekt juridik.

Unë mendoj që në rastin konkret ligji në disa aspekte mund të jetë jokushtetues, por këtë do ta vërtetojë Gjykata Kushtetuese.

Derisa nuk e ka vërtetuar Gjykata Kushtetuese, atëherë zbatohet ligji në tërësi.

Policia në raste të tilla duhet ta zbatojë ligjin dhe është ligjzbatuese.

Në momentin që thuhet se nuk ka të drejtë të konfiskohet nga Policia patentë-shoferi, atëherë jemi duke ia mohuar një të drejtë ligjore që nuk e ka atakuar askush në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Megjithatë, Lladrovci kritikoi praktikën aktuale të konfiskimit të patentë-shoferit menjëherë në vendin e ngjarjes, duke vlerësuar se kjo duhet të ndodhë vetëm pasi vendimi të bëhet i plotfuqishëm. “E vetmja shkallë e ankesës që është brenda organizatës është Komisioni për Ankesa, aty duhet drejtuar.

Sa i përket konfiskimit të patentë-shoferëve, unë mendoj që këtu duhet të ndryshohet praktika.

Nuk duhet të merret patentë-shoferi me vendim të shkallës së parë.

Polici në rrugë duhet t’ia shqiptojë tiketën dhe masën, por në momentin kur vendimi bëhet i plotfuqishëm, atëherë të thirret qytetari dhe t’i merret patentë-shoferi.

Në rastin konkret, në rrugë i merret patentë-shoferi, por ka raste që e lënë të vazhdojë vozitjen deri në destinacionin e parë.

Ai destinacion mund të jetë edhe Peja, ndërsa gjatë rrugës mund të ndalet nga një patrullë tjetër dhe të ndëshkohet sërish, madje mund t’i konfiskohet edhe vetura”, tha ai.

Ai shtoi se vendimi për marrjen e patentë-shoferit duhet të konfirmohet nga organi i shkallës së dytë ose të hyjë në fuqi pasi të skadojë afati i ankesës. “Kështu që mendoj që kjo masë, marrja e së drejtës për drejtimin e mjetit motorik, duhet të bëhet nga komisioni i shkallës së dytë.

Në momentin që edhe komisioni vendos që patentë-shoferi të merret, atëherë vendimi bëhet i plotfuqishëm.

Ose, kur nuk ka ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë, pasi të kalojë afati i ankesës, atëherë të zbatohet masa.

Jo në momentin kur qytetari është duke vozitur t’ia marrësh patentën dhe pastaj ta lësh të vazhdojë deri te destinacioni i parë.

Mendoj që kjo është shkelje nga zyrtarët policorë, sepse në momentin që i merret patentë-shoferi, ai person nuk ka më të drejtë ta drejtojë automjetin”, tha ai.

Lladrovci paralajmëroi se praktika aktuale mund t’u shkaktojë dëme qytetarëve, veçanërisht atyre që e kanë drejtimin e automjetit profesion. “Pse mendoj që patentë-shoferi nuk duhet të merret me vendim të shkallës së parë?

Sepse një shofer që punon në një kompani mund ta humbë vendin e punës në momentin që i merret patentë-shoferi.

Nëse më pas, pas ankesës, konstatohet se Policia nuk ka pasur të drejtë ta konfiskojë patentën, qytetarit i është shkaktuar dëm.

Në atë rast ai ka të drejtë ta padisë Policinë e Kosovës, përkatësisht shtetin, për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga largimi nga puna apo nga konfiskimi i patentë-shoferit.

Andaj unë do të apeloja te Policia e Kosovës që konfiskimi të bëhet vetëm pasi vendimi të marrë formë të prerë, përkatësisht pas vendimit të komisionit si organ i shkallës së dytë brenda administratës së Policisë së Kosovës”, tha ai.

Policia e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online ka thënë se zbaton të gjitha ligjet e aplikueshme në Kosovës e në rastin konkret ligjet që lidhen me fushën e trafikut ku përveç gjobave për kundërvajtje të ndryshme janë paraparë edhe masa mbrojtëse ku nga fillimi i këtij viti 6,259 shoferëve iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *