Fermerët kosovarë të qumështit kanë vendosur të mbajnë nesër një protestë para Ministrisë së Bujqësisë.
Ata thonë se protesta është ‘e pashmangshme’ pas mbylljes së përkohshme të fabrikës ‘Vita’ në Istog, për shkak të një aksioni të Ministrisë. ‘Ne takimin e mbajtur me antarsinë e shoqatës me 05.07.2026, unanimisht u vendos që nesër i bëjmë thirrje të gjithë fermereve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për datën 06.07.2026 në orën 13:00 pranë Ministrisë së Bujqësisë’, thuhet në njoftim. ‘Protesta është e pashmangshme me situatën e krijuar për mos grumbullim të qumështit të freskët nga fermat tona, duke hasur në vesh të shurdhër tek aktorët kompetent’, thuhet tutje në njoftim.
Fermerët kosovarë të qumështit treguan edhe kërkesat e tyre: rifillim i menjëhershëm i grumbullimit, publikimi urgjent i rezultateve në mënyrë që të hiqet dyshimi mbi produktet vendore, kthimi i çmimit të mëparshëm për të shpëtuar fermat nga falimentimi. ‘Pjesëmarrja do të jetë me mjete bujqësore dhe cisterna qumështi, lusim qytetarët janë të lirë të marrin bidona për furnizim me qumësht pa pagesë’, thuhet në njoftim.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





