Plakja e popullsisë dhe nevoja për krijimin e një sistemi shëndetësor e social që i përgjigjet këtij ndryshimi demografik kanë qenë në fokus të konferencës “Plakja e shëndetshme – shkenca, kujdesi dhe inovacioni social”.
Konferenca mblodhi ekspertë, studiues dhe profesionistë të fushave të shëndetësisë dhe politikave sociale për të diskutuar qasjet shkencore, praktikat e kujdesit dhe inovacionet sociale që mund të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së personave të moshuar dhe në përgatitjen e sistemeve për ndryshimet demografike që po e prekin Kosovën dhe vendet e tjera.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale, Agron Gashi, tha se plakja e popullsisë në Kosovë është një proces që tashmë është duke u reflektuar në të dhënat demografike dhe kërkon veprime konkrete nga institucionet dhe shoqëria.
Gashi theksoi se koncepti i pleqërisë së shëndetshme nuk duhet të kufizohet vetëm te zgjatja e jetëgjatësisë, por duhet të përfshijë funksionalitetin, pavarësinë dhe cilësinë e jetës.
Në konferencë foli edhe prorektorja e Kolegjit Heimerer, prof. dr.
Naime Brajshori, e cila theksoi rëndësinë e hulumtimit shkencor në zhvillimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale.
Shefja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, Isme Humolli, tha se plakja e shëndetshme është një prej prioriteteve të OBSH-së dhe se kjo çështje zë vend të rëndësishëm edhe në planin e punës për vitet 2026–2030.
Plakja e popullsisë është një trend global që kërkon riorganizimin e sistemeve shëndetësore dhe sociale.
Humolli shtoi se plakja nuk duhet parë vetëm si sfidë, por edhe si mundësi për krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





