Tetëmbëdhjetë operatorë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës janë certifikuar pas përfundimit me sukses të trajnimit njëmujor “Avancimi i njohurive bazike në mjekësinë emergjente”, i cili u realizua në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Ceremonia e ndarjes së certifikatave u mbajt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku u vlerësua rëndësia e këtij trajnimi për avancimin e aftësive praktike të pjesëtarëve policorë në ofrimin e ndihmës së parë dhe reagimin në situata emergjente.
Sipas Policisë, trajnimi kishte për qëllim pajisjen e operatorëve me njohuri dhe shkathtësi praktike për përballimin e rasteve të ndryshme emergjente shëndetësore në terren, duke ndikuar në rritjen e gatishmërisë operative dhe në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë përfaqësues të menaxhmentit të QKUK-së dhe Policisë së Kosovës, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zhvillimin profesional të personelit policor.
Kolonel Taibe Canolli dhe kolonel Mentor Shabani, në emër të Policisë së Kosovës, falënderuan SHSKUK-në, veçanërisht Klinikën Emergjente, për mbështetjen dhe përkushtimin profesional në realizimin e trajnimit.
Policia e Kosovës dhe SHSKUK-ja ritheksuan gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, përmes trajnimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta që synojnë ngritjen e kapaciteteve profesionale. “Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm drejt përgatitjes së pjesëtarëve policorë për reagim të shpejtë dhe efektiv në situata emergjente, me synim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





