Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), ka kryer disa operacione për zbulimin dhe sekuestrimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin Potokut.
Gjatë operacioneve të kryera nga 6 deri më 17 gusht, janë konfiskuar mjete të shumta ushtarake, uniforma dhe çanta ushtarake të ushtrisë dhe Policisë së Serbisë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se armatimi është gjetur në lokacione të ndryshme në Zubin Potok për rreth varrezave masive.
Në listën e armëve të sekuestruara përfshihen 72 copë armë, 2 mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë të gjuetisë, 90 armë të shkurtra pistoleta të ndryshme, 7 mjete shpërthyese, 7 granata dore, 2 detonatorë, pjesë plastike për paketimin e granatave, 4831 municione të kalibrave të ndryshme, mjete piroteknike, pjesë metalike të mjeteve shpërthyese, pjesë të armëve, tyta, karikatorë, pajisje tjera ushtarake, thika, gazmaska, radiolidhje, dylbi, arka druri për municione, uniforma ushtarake, këmisha të ushtrisë, këmisha të policisë, dokumentacione, libreza të armëve të ish-Jugosllavisë, kartela të veteranit, dokumente të armëve, dokumente të rojeve të pyjeve, leje të armëve të shkurtra, të skaduara, 96100 euro dhe 5000 franga.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





