Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi e konsideroi si skandaloze dhe të papranueshme deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila u shpreh se po të kishte qenë në vend të Millosheviqit do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.
Në konferencën e mbajtur sot për mediat, Nufi vuri në dukje se çdo përkrahje dhe heshtje përballë një deklarate të tillë është po aq vrastare. “Besoj se deklarata është skandaloze, e papranueshme, besoj që çdo koment mbi natyrën e asaj deklarate, përveç këtyre dy fjalëve, është i pavend. Është e papranueshme sot që të ketë një deklaratë të tillë. Është shprehur kryeministri, është shprehur Ministria e Jashtme.
Unë si ministër mbrojtje mund të bashkohem me qëndrimin e kryeministrit plotësisht.
Besoj se edhe vet reagimi në Serbi ka treguar që edhe atje, njerëzit e arsyes, kanë atë qëndrim evropian që ne duam të shohim nga pala serbe. Çdo retorikë e kësaj natyre, është e papranueshme, dhe e dënueshme çdo përkrahje dhe heshtje përballë një deklarate të tillë është po aq vrastare”, tha Nufi, raporton A2.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





