Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar ashpër pas sulmit të fundit rus në Kiev, ku u godit edhe kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Ukrainë.
Në një postim në rrjetin social X, ai e cilësoi ngjarjen si “të papranueshme” dhe bëri të ditur se ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë është thirrur për të dhënë shpjegime.
Sipas ministrit Hoxha, Shqipëria “dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë” të ndërmarrë nga Rusia kundër objektivave civile në Ukrainë, duke e konsideruar atë një “shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor”.
Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se sulmet ndaj zonave civile dhe rrezikimi i personelit diplomatik përbëjnë “një përshkallëzim të rëndë” të agresionit rus dhe një tjetër dëshmi të kostos njerëzore që po sjell lufta në Ukrainë.
Ministri shqiptar gjithashtu bëri thirrje ndaj Rusisë për të ndalur sulmet dhe për t’u rikthyer në negociata, duke respektuar ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin e Ukrainës.






