Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo, ka vizituar efektivët e policisë të lënduar në Spitalin e Traumës, gjatë ditës së dytë të protestës që nisi para godinës së Ministrisë së Arsimit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Demo njoftoi se 51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar si pasojë e akteve të dhunës të kësaj të mërkure.
Ministri theksoi se dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. “51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës së sotme.
Disa prej tyre ndodhen aktualisht në Spitalin Ushtarak, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Pas çdo uniforme është një njeri.
Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.
E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj,” tha ai.
Në njoftimin e tij, ai shprehu mirënjohje dhe respekt për çdo zyrtar policor. “Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sot, përballë dhunës dhe rrezikut, qëndroi në krye të detyrës me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi.
Ju uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë efektivëve të lënduar.
Jemi pranë jush dhe familjeve tuaja.
Pas uniformës është njeriu.
Pas detyrës është sakrifica.
Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve,” përfundoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





