Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka theksuar se mbrojtja e ujërave është prioritet në Kosovë.
Ajo ka reaguar në Facebook duke ndarë një video nga liqeni i Radoniqit, e cila e vlerëson si një burim kryesor i ujit të pijshëm.
Pacolli ka deklaruar se degradimet dhe ndërtimet e papërgjegjshme përgjatë liqeneve dhe burimeve ujore nuk do të tolerohen. ‘Kosova ka mungesë të pasurive ujore, ndërsa ndryshimet klimatike po e bëjnë edhe më të pasigurt të ardhmen e tyre.
Prandaj, mbrojtja e ujërave është detyrë qytetare, institucionale dhe kombëtare.
Ato që i kemi sot duhet t’i ruajmë me kujdes, që t’ua lëmë edhe brezave që vijnë.
Uji është jetë dhe do ta ruajmë si pasuri kombëtare’, ka shkruar Pacolli.
Ministria ka njoftuar se një objekt që shërbente si restorant afër Liqenit të Radoniqit do të mbyllet, pasi janë rrënuar disa objekte të ndërtuara pa leje në këtë zonë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





