Një nga emrat më të mëdhenj të muzikës elektronike në botë, Martin Garrix, do të rikthehet në skenën e “Sunny Hill Festival” për edicionin e vitit 2026.
Lajmi është bërë i ditur nga organizatorët e festivalit përmes rrjeteve sociale, ku kanë konfirmuar se DJ-i dhe producenti holandez do të jetë pjesë e ngjarjes së madhe muzikore që mbahet në Prishtinë. “Disa ribashkime janë thjesht të destinuara të ndodhin.
Martin Garrix rikthehet në skenën e Sunny Hill.
Edhe një herë.
Edhe një natë e paharrueshme.
Prishtinë, a jeni gati?”, thuhet në njoftimin e festivalit.
Për Garrix, kjo nuk do të jetë hera e parë në “Sunny Hill Festival”.
Ai ishte një nga artistët kryesorë që performoi në edicionin e parë të festivalit në vitin 2018, duke dhuruar një atmosferë elektrizuese për mijëra adhurues të muzikës elektronike.
Rikthimi i tij pas tetë vitesh pritet të jetë një nga momentet më të veçanta të edicionit të ardhshëm, duke marrë parasysh popullaritetin që artisti vazhdon të gëzojë në mbarë botën.
Martin Garrix konsiderohet si një prej DJ-ve dhe producentëve më të suksesshëm të gjeneratës së tij.
Ai ka sjellë hite globale si “Animals”, “High on Life”, “Tremor”, “Ocean” dhe shumë projekte të tjera që kanë dominuar skenën ndërkombëtare të muzikës elektronike.
Artisti holandez ka një lidhje të veçantë edhe me yjet shqiptare të muzikës.
Ai ka bashkëpunuar me Dua Lipën në hitin botëror “Scared To Be Lonely”, këngë e cila numëron qindra miliona dëgjime në platformat muzikore dhe mbetet një nga projektet më të suksesshme të të dy artistëve.
Po ashtu, Garrix ka realizuar edhe bashkëpunimin “In The Name Of Love” me Bebe Rexhën, një tjetër hit ndërkombëtar që shënoi sukses të madh në toplistat muzikore dhe e konsolidoi edhe më tej pozitën e tij në industrinë globale të muzikës.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi.com






