Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, ka kundërshtuar vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien në shfrytëzim për 50 vjet të pronës së Tulltores kompanisë private BGC SH.P.K., duke kërkuar transparencë të plotë dhe hetim institucional të të gjithë procesit.
Sipas LVV-së, bëhet fjalë për rreth 45 mijë metra katrorë pronë komunale, ose mbi 4.5 hektarë tokë, në një zonë me rëndësi të madhe për zhvillimin e kryeqytetit.
Kjo pronë, sipas tyre, ishte blerë nga Komuna për rreth 5 milionë euro. ’50 vjet janë 12 mandate e gjysmë të një qeverisjeje komunale.
Vendimi e lidh Prishtinën edhe për pesë dekada pasi kjo qeverisje të ketë përfunduar,’ thuhet në reagimin e LVV-së.
Lëvizja kërkon që para qytetarëve të bëhen të qarta vlerësimi i pavarur i pronës, kushtet e marrëveshjes, garancitë financiare, mënyra e përzgjedhjes së operatorit dhe përfitimi real i Komunës.
Shqetësim të veçantë, sipas LVV-së, paraqet përzgjedhja e BGC SH.P.K.-së si operator.
LVV pretendon se nga të dhënat e bëra publike nuk rezulton që kompania të ketë një portofol projektesh të krahasueshme me përmasën dhe kompleksitetin e Tulltores. ‘Një kompleks i tillë duhet ndërtuar, vënë në punë dhe administruar për dekada.
Komuna duhet të tregojë mbi çfarë dëshmish është bindur se BGC SH.P.K. dhe pronari i saj, Agim apo Blerim Gërbeshi, ose kushdo që është pas tyre, kanë aftësinë profesionale, organizative dhe financiare për ta marrë përsipër një ndërmarrje të tillë për 50 vjet,’ thuhet në reagim.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





