Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, gjatë një diskutimi ka përsëritur qëndrimin e Kuvendit të Shqipërisë lidhur me vendimin e Gjykatës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Balla shprehu indinjatën e thellë për këtë vendim, të cilin e konsideron të padrejtë. “Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me atë vendim, që konsideron thellësisht të padrejtë ndaj katër udhëheqësve të UÇK-së.
Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet,” deklaroi Balla.
Sipas tij, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e vendit. “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës, përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet, të gjitha kombësitë që jetojnë në Kosovë,” u shpreh ai. “Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit,” tha Balla.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





