Zyra e Kryeministrit, përkatësisht Zyra e Zëvendëskryeministrit për Çështjet e Komuniteteve dhe Bashkëpunim, ka mbajtur takim me Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim, ku është diskutuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, sfidat me të cilat përballen qytetarët në nivel lokal, si dhe nevojën për koordinim më të madh ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale.
Në takim ka folur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka theksuar se Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe se të drejtat e komuniteteve duhet të garantohen jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe të zbatohen në praktikë.
Kurti ka vlerësuar se Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim kanë rol të rëndësishëm institucional, pasi ato janë pjesë përbërëse e administratës komunale dhe kanë mandat në identifikimin, promovimin, mbështetjen, zbatimin dhe mbikëqyrjen e politikave që lidhen me të drejtat e komuniteteve.
Në takim ka folur edhe zëvendëskryeministri për Çështjet e Komuniteteve dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka, i cili ka theksuar se një prej prioriteteve të zyrës që nga fillimi i këtij viti ka qenë dëgjimi i drejtpërdrejtë i komuniteteve joshumicë dhe adresimi i nevojave të tyre.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





