Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka qëndruar në Kalludër të Zubin Potokut, ku po vazhdojnë gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Pas vizitës, Peci ka thënë se familjet e të zhdukurve vazhdojnë të përballen me dhimbjen dhe pritjen për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. “Kosova ende i ka varret e hapura e plagën që kullon, e Serbia gjenocidale as kërkim falje nuk kërkon”, ka shkruar Peci.
Ai ka thënë se Mitrovica e ka paguar rëndë çmimin e lirisë, ndërsa ka theksuar se prania dhe historia shqiptare në veri dëshmohen edhe nga varrezat shqiptare në atë pjesë. “Për një çerek shekulli, Mitrovica më së shtrenjti e pagoi çmimin e lirisë.
Nga antikiteti jemi në veri, aty ku varrezat shqiptare dëshmojnë praninë dhe historinë tonë në këto troje”, ka deklaruar ai.
Sipas Pecit, kalimi i viteve nuk mund ta fshehë të vërtetën për krimet e kryera gjatë luftës. “Të vërtetën nuk e fsheh asgjë, gjaku nuk humbet, e as dheu nuk lejon mbulimin e krimit”, ka shkruar Peci.
Ai ka përmendur edhe vuajtjen shumëvjeçare të familjarëve të personave të zhdukur, të cilët, siç tha, vazhdojnë të presin që një ditë të kenë një vend ku të vendosin lule për të afërmit e tyre. “Për afër 3 dekada vuajtje, pritje, dhimbje e kërkim, për familjarët e të pagjeturve që jetuan me pikëllimin dhe shpresën se një ditë do të mund të vendosin lule mbi varrezat e më të dashurve të tyre”, ka shkruar ai.
Peci ka përfunduar duke thënë se dhimbja kërkon shërim dhe krimet drejtësi, duke iu referuar gërmimeve që po zhvillohen në Kalludër të Zubin Potokut.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





