Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Hekuran Nikçin, kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Gjatë këtij takimi, ata diskutuan për administrimin dhe mbrojtjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, si dhe për çështjet e pazgjidhura pronësore dhe hapat që duhen ndjekur për përmbylljen e mandatit të Agjencisë.
Sipas njoftimit për media, një vëmendje e veçantë iu kushtua pronave të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që ndodhen në Serbi, si dhe nevojës për identifikimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore mbi këto asete. “Në këtë kontekst, u diskutua edhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes për Kadastrin, e arritur në Bruksel më 2 shtator 2011, ku Serbia kishte premtuar dorëzimin e dokumentacionit kadastral të marrë nga Kosova.
Pavarësisht marrëveshjes dhe mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian, përfshirë një projekt prej rreth 2 milionë eurosh, Serbia ende nuk i ka përmbushur plotësisht obligimet e saj.
Kjo vazhdon të vështirësojë trajtimin e çështjeve pronësore dhe garantimin e sigurisë juridike mbi pronën”, theksohet në komunikatë. “Në takim u trajtua gjithashtu nevoja për ndryshimet e domosdoshme ligjore dhe institucionale që do të mundësonin përmbylljen e mandatit të AKP-së dhe bartjen e aseteve përkatëse në Fondin Sovran të Republikës së Kosovës.
Ky proces ka për qëllim të sigurojë një administrim më të mirë të pasurisë publike dhe vënien e saj në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet më tej në komunikatë.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe për Ligjin për Fondin Sovran, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor 2023, i cili, sipas njoftimit, tash e gati tri vjet mbetet në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese. “Mungesa e një vendimi përfundimtar ka pamundësuar hyrjen në fuqi të ligjit dhe, për pasojë, zbatimin e reformës për transformimin e mënyrës së administrimit dhe zhvillimit të aseteve shtetërore.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit institucional për mbrojtjen e pasurisë së Republikës së Kosovës, zgjidhjen e çështjeve të hapura pronësore, si dhe avancimin e reformave që sigurojnë administrim të përgjegjshëm, transparent dhe në interes publik të këtyre aseteve”, përfundon komunikata.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





