Në ditën e parë të qëndrimit në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në një bashkëbisedim frymëzues, ‘Between Here and Home’, me të rinjtë e diasporës shqiptare në Amerikë, organizuar nga tri grupe të të rinjve shqiptaro-amerikanë: ZANI, F’Oda, dhe Columbia University Albanian Society.
Krahas pjesëtarëve të Qeverisë së Republikës së Kosovës pjesë e delegacionit janë edhe kryetarja e Preshevës Ardita Sinani dhe deputeti Shaip Kamberi.
Gjatë bisedës me të rinjtë, kryeministri Kurti ka folur mbi një gamë të gjerë temash.
Ai i tregoi audiencës për sukseset ekonomike të Kosovës, duke përfshirë rritjen ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë të këtij viti, si dhe ulja e papunësisë nga 26% në 10% gjatë qeverisjes së tij.
Nga ana tjetër, Kryeministri Kurti ka folur me pjesëmarrësit për nevojën për përmirësimin e mëtejshëm në integritetin dhe performancën e sistemit gjyqësor në Kosovë, i cili vazhdon të jetë cak i kritikave në raportet ndërkombetare, përfshirë të Komisionit Evropian.
Kryeministri Kurti po ashtu e theksoi domosdoshmërinë që të rinjtë e sotëm të kontribuojnë në forcimin e barazisë gjinore dhe në promovimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në mbarë botën.
Duke adresuar aktgjykimin e 16 shtatorit në rastin e katër krerëve të UÇK-së, Kryeministri Kurti e përsëriti përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ofruar mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara, i cili ishte i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht.
Po ashtu, ai ka theksuar nevojën për dakordimin mbi një strategji shtetërore për reagimin sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik.
Në këtë drejtim, Kryeministri u zotua se, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, do të angazhohet intensivisht në mbrojtjen e luftës çlirimtare të Kosovës përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





