Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka kritikuar vendimin për mbajtjen e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke ngritur dilema për respektimin e afateve kushtetuese.
Përmes një reagimi në Facebook, Cakolli ka pyetur se si mund të thirret dhe të mbahet një seancë, sipas tij, “jashtë çdo afati kushtetues”, pa iu drejtuar paraprakisht Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar pasojat juridike të tejkalimit të afatit.
Ai ka theksuar se seanca pritet të mbahet më shumë se një muaj pas skadimit të afatit për konstituimin e Kuvendit, të përcaktuar sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe pas një afati shtesë që, sipas tij, është paraqitur si kushtetues.
Cakolli ka ngritur edhe pyetjen nëse afatet kushtetuese mund të tejkalohen në rastet kur nuk përcaktohet shprehimisht një pasojë konkrete juridike. “Sikur secili afat kushtetues që s’e ka të përcaktuar një pasojë konkrete mund të tejkalohet, ndërsa akterët të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë?”, ka shkruar ai.
Në fund, hulumtuesi i KDI-së ka paralajmëruar se mosrespektimi i afateve mund t’i zhveshë ato nga karakteri kushtetues. “Sepse nëse afatet vlejnë vetëm kur u konvenojnë partive, ato pushojnë së qeni afate kushtetuese dhe shndërrohen në afate politike”, ka deklaruar Cakolli.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





