Kosova ka bërë një kërkesë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të diskutuar blerjen e helikopterëve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke e vendosur mbrojtjen ajrore si prioritet në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka folur edhe për kërcënimet që Serbia paraqet për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit.
Maqedonci theksoi se kërkesa për helikopterë është bërë nga komandanti i FSK-së dhe se procedurat e blerjes realizohen përmes programit amerikan FMS, ku merr pjesë edhe Departamenti Amerikan i Luftës.
Ai shpjegoi: “Kemi prokuruar normalisht edhe dronët, fluturaket pa pilot që kemi tri lloje aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Fokusi ynë në vazhdim do të jetë mbrojtja ajrore, duke u përqendruar në mbrojtjen nga sulmet ajrore dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore të Kosovës.
Ne jemi duke koordinuar dhe bashkëpunuar me partnerët tanë amerikanë për këtë çështje.
Kjo blerje bëhet duke aplikuar programin FMS, ku dërgojmë kërkesën në Departamentin e Luftës, ndërsa të gjitha procedurat e negocimit dhe prokurimit zhvillohen nga ky departament.” Ministri i Mbrojtjes foli edhe për armatimin e blerë gjatë viteve të fundit, duke theksuar se FSK-ja ka rritur llojet e sistemeve të armatimit dhe se po synon zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake. “Gjatë këtyre tre-katër viteve të fundit, ne kemi bërë prokurime të sistemeve shumë të rëndësishme të armatimit.
Aktualisht, kemi katër lloje të sistemeve antitank, lloje të mortajave, automjete të ndryshme dhe sisteme të artilerisë mobile,” tha Maqedonci.
Ai njoftoi se Kosova është duke punuar në zhvillimin e njësive të reja dhe përshtatjen e kapaciteteve mbrojtëse me situatën aktuale të sigurisë. “Ne po rrisim numrin e armëve dhe po shumëfishojmë llojet e armëve.
Tashmë kemi dy njësi të reja, njësinë për operacione speciale dhe njësinë për fluturake të papilotë, që tani janë shumë operacionale,” shtoi ai.
Maqedonci theksoi se zhvillimi i FSK-së po bëhet në përputhje me nevojat aktuale për mbrojtje, pas analizës së rreziqeve të vitit 2014.
Ai shprehu besimin se deri në vitin 2028, FSK-ja do të jetë e përgatitur për mbrojtjen e territorit, por tha se zhvillimi do të vazhdojë edhe më tej. “Ne po punojmë për një plan afatgjatë të zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe për të siguruar një ushtri profesionale me të gjitha kapacitetet e nevojshme,” u shpreh ai.
Maqedonci përmendi se Kosova është duke rekrutuar edhe 530 pjesëtarë të rinj për të arritur numrin prej 5 mijë pjesëtarësh aktivë.
Ai theksoi rëndësinë e investimeve në fushën e mbrojtjes, duke përmendur se buxheti për Ushtrinë e Kosovës është katërfishuar gjatë mandatit të kaluar të qeverisë.
Sa i përket situatës së sigurisë, Maqedonci vlerësoi se ajo është e qëndrueshme dhe përmendi punën e Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, duke theksuar se kanë arritur të krijojnë një ambient të qetë dhe stabil në Kosovë.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për vendosjen e 48 bazave operative të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën dhe blerjen e armatimit të avancuar nga Kina.
Ministri përfundoi duke thënë se Kosova do të vazhdojë të përforcojë kapacitetet e saj ushtarake dhe të mbrojë çdo pjesë të territorit të saj nga çdo kërcënim, duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të ruajtur stabilitetin në rajon.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





