Postin e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu do t’ia dorëzojë kryetarit të ri të Kuvendit, që do të zgjidhet nga legjislatura e njëmbëdhjetë.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga Presidenca e Kosovës thanë se vendi nuk mund të mbetet pa ushtrues detyre të presidentit.
Legjislatura e re, e dalë nga zgjedhjet e qershorit, ende nuk është konstituuar.
Seanca konstituive, që nisi më 6 gusht, nuk është përmbyllur, pasi Lëvizja Vetëvendosje kërkon që fillimisht të ketë pajtim për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Haxhiu ushtron detyrën e presidentit që nga 4 prilli, si kryetare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar në krye të shtetit të Vjosa Osmanit.
Nëse deri më 4 tetor deputetët nuk zgjedhin një president të ri të shtetit, Gjykata Kushtetuese mund të përfshihet.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në fillim të kësaj jave arritën marrëveshje për çështjen e presidentit, por marrëveshja nuk u përkrah nga gjashtë deputetë të LDK-së.
Kurti: Marrëveshja për presidentin qëndron, me gjithë kundërshtimin e 6 deputetëve të LDK-së.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve në votim nga 120 sa i ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.
Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





