Instituti i Drejtësisë në Kosovë shqetësohet për moszbatimin e vendimeve gjyqësore

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim për moszbatimin e aktgjykimeve të formës së prerë nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), lidhur me pensionet e kategorive të dala nga lufta, duke paralajmëruar se një praktikë e tillë mund të përbëjë edhe përgjegjësi penale.

Sipas IKD-së, rastet e trajtuara nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, pasi edhe pas përfundimit të procedurave gjyqësore, ministria në disa raste nuk i ekzekuton aktgjykimet, nuk i alokon mjetet financiare për qytetarët përfitues ose nxjerr vendime të reja që bien në kundërshtim me vendimet e gjykatës.

IKD thekson se në disa raste, edhe kur e drejta për pension të dyfishtë është konfirmuar nga të gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Supreme, qytetarët vazhdojnë të mbesin pa përfitimet që u janë njohur me aktgjykime të plotfuqishme.


- Advertisement -

Sipas institutit, problematik është edhe rasti kur gjykata anulon një vendim administrativ dhe e kthen çështjen në rivendosje, ndërsa ministria nxjerr sërish vendim refuzues me të njëjtin arsyetim. ‘Kthimi i çështjes në rivendosje nuk i jep Ministrisë të drejtë ta përsërisë vendimin e anuluar, pa i marrë në konsideratë vërejtjet dhe udhëzimet e gjykatës.

Ajo është e obliguar ta respektojë qëndrimin juridik të gjykatës dhe ta shqyrtojë rastin sipas udhëzimeve të saj,’ thuhet në reagimin e IKD-së.

Instituti vlerëson se praktika e vazhdimit të nxjerrjes së vendimeve të reja me të njëjtat arsye faktike dhe juridike, edhe pasi gjykatat kanë vendosur ndryshe, cenon autoritetin e vendimeve gjyqësore, parimin e res judicata, sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit.

IKD rikujton se vendimet gjyqësore janë të detyrueshme edhe për administratën publike dhe se, sipas nenit 394 të Kodit Penal, refuzimi ose mosekzekutimi brenda afatit i një aktgjykimi të plotfuqishëm përbën vepër penale, për të cilën dënimi mund të arrijë deri në pesë vjet burgim.

Po ashtu, sipas IKD-së, në varësi të rrethanave konkrete, këto veprime mund të ngrenë dyshime edhe për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 të Kodit Penal.

Instituti thekson se moszbatimi i vendimeve gjyqësore u shkakton pensionistëve dëme financiare, i detyron të presin me vite për realizimin e të drejtave të tyre dhe krijon procedura të panevojshme administrative e gjyqësore.

Në fund, IKD i bën thirrje MPFVLÇ-së që të evidentojë dhe zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë, të kryejë pagesat që burojnë prej tyre dhe të ndalë nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me qëndrimet e gjykatave.

Njëkohësisht, IKD i kërkon Prokurorit të Shtetit të hetojë këtë situatë për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale të mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -