Amerikani i njohur në rrjetet sociale, IShowSpeed, është përfshirë në një incident të dyshuar me përmbajtje raciste gjatë ndeshjes mes Argjentinë dhe Kepi i Gjelbër, të cilën Argjentina e fitoi me rezultat 3:2.
Si pasojë, FIFA ka nisur një hetim zyrtar.
Sipas FIFA-s, incidenti dyshohet se ka ndodhur më 3 korrik në Hard Rock Stadium në Miami, ku u zhvillua ndeshja e fazës së 1/16-ës së finales.
Organizata bëri të ditur se, sapo u njoftua për rastin, nisi menjëherë procedurat hetimore.
Në pamjet e publikuara në kanalin e tij në YouTube, IShowSpeed, emri i vërtetë i të cilit është Darren Jason Watkins Jr., shihet i veshur me fanellën e Kepit të Gjelbër, teksa përballet me një tifoz të Argjentinës në tribunë.
Në reagimin e saj, FIFA theksoi se Kupa e Botës është një festë e unitetit, diversitetit dhe respektit. “Çdokush që vepron në mënyrë që cenon këto vlera nuk është i mirëpritur në lojën tonë”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.
Ky incident vjen vetëm pak ditë pasi sulmuesi francez Kylian Mbappe dënoi publikisht komentet raciste të bëra nga senatorja paraguajane Celeste Amarilla, të cilën e cilësoi si të neveritshme dhe të padenjë për postin që mban.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com




