Afati 30-ditor për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës fillon më 9 korrik

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga 9 korriku fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës, ka bërë të ditur njohësi i proceseve zgjedhore, Eugen Cakolli.

Sipas Cakollit, afati 30-ditor për mbajtjen dhe përmbylljen me sukses të seancës konstituive të Kuvendit nis më 9 korrik dhe përfundon më 7 gusht 2026.

Ai shpjegon se seanca duhet të thirret nga Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes.


- Advertisement -

Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit kushtetues, Kuvendi mblidhet automatikisht në ditën e 30-të.

Para seancës konstituive, Haxhiu, në cilësinë e kryetares së legjislaturës paraprake, duhet të thërrasë mbledhjen përgatitore me kryetarët e 15 subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend.

Kjo mbledhje duhet të mbahet jo më vonë se pesë ditë para seancës dhe shërben për përgatitjen e rendit të ditës dhe përcaktimin e ulëseve të deputetëve.

Sipas Cakollit, seancën konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi.

Ai thekson se rendi i ditës është i përcaktuar me Kushtetutë dhe përfshin formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, votimin e raportit të këtij komisioni, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, zgjedhjen e pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

Sipas Cakollit, kryetari i Kuvendit propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më i madh parlamentar dhe zgjidhet me të paktën 61 vota.

Nëse i njëjti kandidat nuk i siguron votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet një kandidat tjetër.

Ai sqaron se pesë nënkryetarët zgjidhen gjithashtu me së paku 61 vota.

Tre propozohen nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, një nga deputetët e komunitetit serb, përkatësisht Lista Serbe, dhe një nga deputetët e komuniteteve të tjera joshumicë.

Cakolli thekson se Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe të pesë nënkryetarët.

Vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit, shton ai, hapen procedurat kushtetuese për formimin e Qeverisë së re dhe për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, procese të cilat sipas Kushtetutës mund të zhvillohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *