Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, bënë homazhe në Lubeniq të Pejës, në nderim të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe.
Haxhiu tha se java e fundit e marsit të vitit 1999 ishte e mbushur me vrasje dhe masakra, dhunë e cila vazhdoi edhe gjatë muajit prill.
Ajo kujtoi se Lubeniqi përjetoi tri masakra të rënda: një më 25 maj 1998, dhe dy të tjera më 1 prill dhe 7 prill 1999. ‘Më 1 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, njësitë paramilitare serbe, nën drejtimin e grupit ‘Çakejt’, rrethuan fshatin dhe më pas hynë në brendësi të tij.
Aty grumbulluan civilët e paarmatosur dhe shtinë mbi ta me mitraloz.
Pas kësaj, nga afër ekzekutuan me armë zjarri ata që mbijetuan, ndërsa disa prej viktimave madje edhe i dogjën’, theksoi kryeetarja Haxhiu, duke shtuar se shumë prej viktimave, të moshave të ndryshme, u gjetën më vonë në varrezën masive në Batajnicë, në periferi të Beogradit.
Ne jemi këtu për ta kujtuar këtë krim të shtetit serb, për të nderuar kujtimin e civilëve të vrarë dhe për të ritheksuar se nuk harrojmë sakrificën tonë dhe rrugëtimin drejt lirisë.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve’, tha Haxhiu.
