Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka qenë e ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me ngjarjet në Skenderaj, pas vendosjes së forcave policore atje.
Në Rubikon të Klan Kosovës, Musliu ka thënë se pozicionimi i njësive speciale atë natë në disa pika të qytetit, është skenar i Kurtit për të treguar forcën ndaj Skenderajt dhe Sami Lushtakut.
Ajo ka thënë se qëllimi i Kurtit ka qenë që ta nxjerr të lidhur Lushtakun, për ta paraqitur atë më pastaj si fitore para përkrahësve të tij.
Tutje ish-deputetja e PDK-së shtoi se ishte e zhgënjyer nga reagimi i policisë dhe se nuk kishte ditur për praninë e mediave në vendngjarje. ‘Ky moment për mua ka qenë zhgënjyes me institucionin në këtë rast dhe kjo telefonatë ka zbardhur shumë anomali që s’kisha desht tash me i verifikuar, pa dashje, nuk ka qenë qëllimi im me nxjerr këtë joseriozitet të Policisë së Kosovës.
Asnjëherë s’kam dasht me bë politikë me institucionet e sigurisë, s’kisha dasht me dëgju një komunikim të tillë’, tha Musliu.
Ajo vazhdoi duke thënë se atë natë kishte shkuar në Skenderaj nga Prishtina rreth orës 1 pasmesnate. ‘Isha në shtëpi, dhe më vjen një mesazh një fotografi dhe më thotë një qytetar, ‘hyn lexoj portalet’, dhe hyra në media dhe i pashë.
Dhe kam shku prej Prishtinës në Skenderaj.
As s’e kam ditë që ka media atje fare.
Kam shku atje, në momentin e parë, ka ardhur një makinë e Policisë dhe është ndalur para turmës’, tha më tej Musliu, transmeton Klankosova.tv.





