Dy tragjedi brenda një jave kanë sjellë në vëmendje dështimin institucional për të mbrojtur jetën e grave.
Në shenjë revoltë ndaj këtij realiteti, organizatat për të drejtat e grave dhe shoqëria civile kanë ftuar qytetarët në shesh për të protestuar.
Rastet e fundit kanë rikthyer në vëmendje një fenomen të cilin organizatat e grave e quajnë femicid, vrasjen e grave të lidhur me dhunën me baza gjinore.
Pas vrasjes në Malishevë, ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe Koordinatorja Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Donika Gërvalla, ka mblidhur një tryezë me Policinë, Prokurorinë, Gjykatën dhe Qendrën për Punë Sociale për të shqyrtuar funksionimin e mekanizmave institucionalë dhe masat për parandalimin e rasteve të tilla.
Gërvalla theksoi se asnjë pjesë e sistemit nuk duhet të dështojë. 11 gra të vrara në katër vitet e fundit, tre prej tyre këtë vit, tregojnë se, pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe mekanizmave të rinj të mbrojtjes, dhuna ndaj grave vazhdon të jetë një sfidë serioze për institucionet e Kosovës.
Që nga viti 2010, numri i grave të vrara brenda familjes ka arritur në 62.
Organizatat për të drejtat e grave e shohin këtë si një problem sistematik.
Nga viti 2025 deri në maj të vitit 2026, RrGK ka monitoruar 155 raste të dhunës me bazë gjinore, duke përfshirë raste të femicidit.
Sipas monitorimit, rastet kanë nxjerrë në pah sfidat në funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe në trajtimin e tyre nga institucionet.
Katër vjet më parë, vrasja e Hamide Magashit, një gruaje shtatzënë që u vra në QKUK, tronditi Kosovën.
Ajo kishte urdhër mbrojtës aktiv, por vrasja e saj tregoi nevojën për përmirësim në sistemin e mbikëqyrjes.
Megjithatë, vrasja e grave vazhdon të ndodhë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





