Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, në Komunën e Prishtinës është hapur ekspozita “Sy më sy | Eye to Eye”, e cila sjell rrëfimet dhe përvojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë përmes artit, fotografisë dhe dokumentimit personal.
Ekspozita është realizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në bashkëpunim me Pro Peace Kosovo, me qëllim të ruajtjes së kujtesës, luftimit të stigmës dhe ngritjes së vetëdijes për drejtësinë dhe mbështetjen ndaj të mbijetuarve.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rrëfimet e të mbijetuarve nuk lidhen vetëm me periudhën e luftës, por edhe me vështirësitë e përballura pas saj.
Haxhiu bëri thirrje që personat e dhunuar seksualisht të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre.
Ambasadori britanez Jonathan Hargrevas dhe ambasadori gjerman Rainer Rudolph gjithashtu shprehën mbështetjen e tyre për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Doktoresha Feride Rushiti dhe Venesa Sylejmani, vajza e të mbijetuarës Shyhrete Tahiri-Sylejmani, folën për rëndësinë e tregimit të historive të të mbijetuarve.
Ekspozita sjell para nesh historinë njerëzore që për shumë vite kanë mbetur të fshehura në heshtje. Çdo sy që shihni këtu bart një histori në vete: një histori mbijetese, një histori dhimbje, një histori force, por edhe një histori që thërret.
Familjarët që dëshmuan dhunën seksuale të lidhur me konfliktin janë rruga drejt ndryshimit.
Ne duhet t’i lejojmë këta individë të shërohen.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info






